Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, kolonel Feffrey H. Fisher, në kazermën e FSK-së në Pomozotin, bënë homazhe para arkivolit të tetar Shani Malokut.
Me këtë rast ministri dhe komandanti i FSK-së u shprehën ngushëllime familjarëve të të ndjerit, tetar Shani Malokut.
Po ashtu për homazhe ishin edhe gjeneralë, oficerë, nënoficerë, ushtarë të FSK-së si dhe kolegë të njësisë dhe punës së të ndjerit Shani Maloku.
Tetar Shani Tafil Maloku (1973) ishte nga fshati Plloçicë i komunës së Malishevës. Ai dhe vëllau i tij u vranë nga të shtënat me armë, afër shtëpisë së tyre, në rrethana ende të panjohura. I ndjeri ka qenë duke shërbyer në kazermën e FSK-së në Pomozotinë, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile (RMC), njësia: Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike (MKABK). Ai po ashtu ka qenë ish-pjesëtar i TMK-së.
Varrimi i Shaniut dhe vëllait të tij do të bëhet sot në orën 15:00 në fshatin e lindjes, në Plloçicë të komunës së Malishevës.