Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë një vizite në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ka premtuar se do të shikohen mundësitë buxhetore për zgjerim të hapësirave dhe përmirësim të kushteve për KOK-un. Në takim me kreun e KOK-ut, Besim Hasani, u tha gjithashtu se do të ketë harmonizim të rregulloreve të sportit, sportistëve dhe trajnerëve, si dhe rregulloreve tjera të MKRS-së, në të cilat janë hasur defekte, raporton Ekonomia Online.
Ministri Gashi dhe BE i KOK-ut bashkëbiseduan për vazhdimin e bashkëpunimit MKRS – KOK, si dhe për çështje të ndryshme në avancimin e sportit të Kosovës.
Ministri Gashi tha se është i lumtur që po bën këtë vizitë në Komitetin Olimpik pikërisht në ditën kur UEFA ka licencuar stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Vizita ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes ministrisë dhe Komitetit Olimpik. Diskutuam për shumë tema edhe për hapësira ku zhvillon aktivitetet Komiteti Olimpik dhe nevoja për hapësira të tjera e më të mëdha dhe do të dakordohemi të shohim mundësitë në vitin 2019 pasi jemi edhe në fazën e hartimit të buxhetit të vitit 2019”, tha Gashi.
“Jemi pajtuar të ftojmë federatat të mbajnë kuvendet e tyre, sepse anëtarësimi ynë në mekanizma ndërkombëtarë nënkupton harmonizimin e rregulloreve dhe akteve të tjera normative ne mënyrë të kemi harmonizim të plotë të dokumentacionit sportit me mekanizmat ndërkombëtarë”.
“Sporti dhe sportistët kanë shënuar rezultate kohëve të fundit dhe neve si institucione na duhet të krijojmë kushte me te mira”, tha Gashi.
Ai foli dhe për plotësim ndryshimin e rregulloreve të sportit, si dhe Ligjin për Sponsorizim. “Sa i përket Ligjit për Sponsorizim e kemi miratuar një rregullore, kemi lëshuar edhe tri vërtetime, por meqenëse ka mosharmonizim me Ligjin për të Ardhura në Korporata dhe jemi pajtuar me Ministrinë e Financave që të kalon në Kuvend. Një lajm i mirë është që Ligji për të Ardhura në Korporata ka kaluar në Qeveri”, tha ministri.
Besim Hasani në emër të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, shprehu konsideratën për përkushtimit të ministrit për të krijuar një mjedis më të mirë për sportin, sportistët dhe gjithë punëtorët sportivë.
I pari i KOK-ut tha se u akorduan me ministrin që të ketë harmonizim të rregulloreve të sportit, sportistëve dhe trajnerëve, si dhe rregulloreve tjera të MKRS-së, në të cilat janë hasur defekte.
“Biseduam edhe për mbështetjen e sportistëve, të cilët janë në garë për të fituar normën Olimpike Tokyo 2020. KOK-u ka ndarë 19 bursa Olimpike, por ato janë të mjaftueshme, prandaj së bashku u akorduam të gjejmë forma të bashkëpunimit që sportistët të jenë sa më shumë të mbështetur dhe mjetet që u ndahen federatave dhe KOK-ut të kenë prioritet sportistët”, tha ndër të tjerë presidenti Hasani, duke përmendur edhe vitin 2019, si më të ngjeshurin për KOK-un, pasi na presin katër aktivitete të mëdha ndërkombëtare.
Një tjetër çështje për të cilën u bisedua janë hapësira e KOK-ut, për çka presidenti Hasani tha se me ndërkombëtarizimin e sportit, janë rritur dyfish nevojat edhe për zgjerim të hapësirave, për çka ministri Gashi tha se u akorduan që në vitin e ardhshëm të shohin mundësitë që MKRS bashkë me KOK-un të kenë investime në këtë drejtim.
Në fund, presidenti i Komitetit, Besim Hasani, ia dhuroi ministrit Gashi librin e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi.