Ministri i Diasporës, Dardan Gashi ka mohuar pretendimet e ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Osman Shahinit, se ai kishte tentuar të blinte telefon në mënyrë të jashtëligjshme.
Gashi ka thënë se pretendimet e Shahinit nuk janë të vërteta. Ai ka dhënë disa arsye të tjera, për të cilat thotë se e ka shkarkuar ish-sekretarin e ministrisë, raporton Insajderi.
Ministri Gashi, të dielën e shkarkoi sekretarin e kësaj ministrie Osman Shahinin. Në letrën e tij si ministër i Diasporës ju drejtua kryeministrit Haradinaj, duke arsyetuar vendimin e tij, duke shkruar se sekretari Shahini “nuk ia ka kuptuar vizionin e tij”.
“Përkundër përkushtimit tim për ta mbështetur dhe përfshirë në dinamikën e punëve të ministrisë, z. Osman Shahini nuk arriti të akceptojë vizionin dhe dinamikën e përcaktimeve tona të përbashkëta për të rritur efikasitetin, përgjegjësinë dhe transparencën në punën e qeverisë së Republikës së Kosovës,” thuhet mes tjerash në arsyetimin e ministrit në letrën që ia ka drejtuar Kryeministrit Haradinaj.
Ish-sekretari Shahini ka akuzuar sot ministrin e Diasporës, se vendimin për ta shkarkuar atë nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm “e ka marrë për një telefon”. Telefon të cilin, Shahini thotë se ministri kishte tentuar ta blente në mënyrë të jashtëligjshme nga buxheti i ministrisë.
“Ministri Gashi, në momentin që ka ardhur pas dy ditëve ka kërkuar me ble telefon mobil diku në vlerë 1 mijë euro. Unë i kam thanë që do të shoh si është çështja e buxhetit. Unë jam kthy tek Ministri, i kam thanë që nuk mund të blihet sepse nuk ka buxhet dhe blerja do të na shkaktonte thyerje të ligjit”, tha Shahini.
Por, ministri Gashi i ka quajtur “tentime fëminore” pretendimet e Shahinit.
I kontaktuar nga Insajderi, Gashi ka thënë se vendimi për pezullim i ka të cekura arsyet; e ato nder tjera janë mos marrja e masave pas gjetjeve të auditorit për shkelje te vazhdueshme ne ministri, si: emërime të jashtëligjshme, shpërblimi i drejtoreve më paga pa punuar fare, e te tjera si këto.
“Kjo puna e telefonit është vetëm një tentim fëmijëror për me i mbulu arsyet”, tha ministri Gashi për Insajderin.
Po ashtu, sipas tij Osman Shahini u ka paguar rroga drejtorëve që nuk kishin shkuar në punë, dhe nuk kishin realizuar detyrat zyrtare.
“Vendimi për pezullim i ceke arsyet, e ato nder tjera janë mos marrja e masave pas gjetjeve të auditorit për shkelje te vazhdueshme ne ministri. Emërime të jashtëligjshme me të cilat po merret edhe policia. Z. Shahini i ka paguar rrogë drejtorëve që nuk kanë ardhur në punë fare me muaj tërë”, tha ministri Gashi.
Ai thotë që akuzat që i janë drejtuar nga Shahini, pasi siç thotë ministri Gashi, “kinse unë paskam dashur të blejë telefon me buxhetin e ministrisë në mënyrë të jashtëligjshme është vetëm një tentim fëmijëror për ti mbuluar arsyet dhe të bëmat e veta”.