Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi përmes një komunikate për media ka reaguar për ndalimin e karateistëve kosovarë nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë.
Në komunikatë thuhet se pamundësimi i pjesëmarrjes së karateistëve të Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian të Karatesë që do të mbahet në Novi Sad të Vojvodinës, ku autoritetet serbe kanë ndaluar hyrjen e karateistëve tanë në pikën kufitare në Merdarë, është një veprim i cili dëmton sportin në përgjithësi dhe tregon ndërhyrjen brutale të politikës në sport nga ana e shtetit serb.
Përpos që tregojnë që shteti serb nuk është reformuar dhe ndryshuar nga mendësia e vjetër, ajo kundërshton normat e frymën sportive që institucionet sportive evropiane e botërore e kanë instaluar. Me ndalimin e karateistëve kosovarë duke ua pamundësuar të marrin pjesë në një garë të organizuar nga Federata Evropiane e Karatesë, ajo ka dëmtuar emocionalisht dhe ka shuar ëndrrën e karateistëve tanë që të barabartë të garojnë me karateistë të shteteve tjera, thuhet në komunikatë.
Si Ministri e Sportit, me këtë rast, i bëjmë thirrje autoriteteve sportive evropiane e botërore të karatesë dhe sporteve tjera që marrin masa ndaj Serbisë që të ndalojë njëherë e përgjithmonë në ndërhyrjen në sport kur ka të bëjmë me sportistët kosovarë. Nëse Serbia nuk është e gatshme dhe e aftë të organizojë gara e ngjarje sportive në të cilët marrin pjesë edhe sportistët dhe njerëzit tjerë të sportit nga Kosova, atëherë e drejta e organizimit të këtyre ngjarjeve mos t’i jepet fare Serbisë. Përfundimisht, Serbia duhet të disiplinohet nga autoritetet sportive botërore e evropiane në raport me sportin e Kosovës. Sporti është dhe duhet të mbetet e ndarë nga politika, thuhet më tej në komunikatë.
Është ndjenja më e keqe e mundshme kur një sportisti, i cili është përgatitur dhe shpreson që të korrë suksese në garat që pritet të marrë pjesë, e kjo e drejtë t’i pamundësohet nga ndërhyrjet politike me sfond nacionalist. Karateistët tanë, përmes këtij ndalimi të pjesëmarrjes në garën në Novi Sad, janë dëmtuar në shumë aspekte, emocional, psikologjik dhe në instancë të fundit edhe për kualifikime të mëtejme që mundësojnë marrjen pjesë në lojërat evropiane e olimpike.
Ne si Ministri e ndalimin e karateistëve tonë e konsiderojmë shkeljen dhe diskriminimin më flagrant që bën Serbia me sportistët tanë që njëherësh është edhe shkelje e të drejtave të njeriut, përfundon komunikata.