Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, derisa ka folur për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ka thënë se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjshmërinë e saj, mirëpo po kërkohet të shtyhet zbatimi i kësaj rregulloreje për një afat më të gjatë.
Në konferencën për media bashkë me presidenten Vjosa Osmani, Pistoriusi ka thënë se nevojitet që kjo rregullore të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, që askush të mos ketë frikë.
“E dimë që Kosova ka të drejtë për ta zbatuar ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bëjnë pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë të përshtatshme që askush të mos ketë frikë dhe të mos ketë mosinformim. Unë mendoj se është mirë që të bëhet dhe të realizohet rregullorja, mirëpo të jepet dhe një afat pak më i gjatë për zbatimin e saj”, ka thënë ai.
Ministri gjerman ka shtuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë së shpejti.
“Dialogu duhet të rinis shpejtë sepse vetëm atëherë ja dalim që t’i afrohemi integrimit të Kosovës dhe rajonit dhe këtu bën pjesë edhe zbatimi i katalogut të masave të dakorduara në Ohër, kjo duhet të jetë qëllimi, pasi qëllimi i përbashkët është anëtarësimi i të gjitha gjashtë vendeve të BP në BE. E dimë që çështja e njohjes së Kosovës i vështirëson këto përpjekje esencialisht sepse ka edhe pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, të jeni të sigurt që ne do të ju mbështesim edhe më tej në këtë drejtim”, është shprehur ai.
Teksa ka thënë se kërkesa e ditës ishte deeskalimi, ai ka bërë thirrje më tej për maturi dhe kujdes.
“Stabiliteti i rajonit dhe i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për ne, e dimë edhe nga historia e Evropës në 50 vitet e fundit që stabiliteti dhe jostabiliteti në Ballkan ka luajtur një rol të madh të sigurisë në të gjithë Evropën. Roli i KFOR-it në arkitekturën e sigurisë së Kosovës është hallka e tretë e sigurisë në vend dhe është i përgatitur si më së miri. Sa i përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e ditës është deeskalimi, kancelari federal e ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por kjo parasheh si kusht dialogun dhe askush nuk duhet dhe nuk mund ta ketë një interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje qartë për maturi dhe kujdes”, ka theksuar ai.
Ministri gjerman i mbrojtjes më pas ka shkuar për takim me kryeministrin Albin Kurti në Qeverinë e Kosovës.