Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka paralajmëruar se ministria të cilën ai e drejton do të marrë një sërë vendimesh të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e prodhuesit vendës.
Ministri Hasani ka thënë se po punojnë intensivisht që t’i përshtasin ligjet me qëllim mbrojtjen e prodhuesve kosovarë, sepse vetëm kështu hapen vende të reja të punës.
Më tutje, Hasani ka thënë se krah të fortë në marrjen e vendimeve për prodhuesit vendor e ka edhe zëvendëskryeministrin, liderin e partisë, Fatmir Limaj.
“Kemi pasur punë intensive. Kemi ndërhyre në legjislacion duke ia përshtatur me politika të qeverisë. Fokus të veçantë iu kemi dhënë bizneseve vendore. Ne po punojmë shumë që të bëjmë ligje të cilat e mbrojnë prodhuesin dhe duke e mbrojtur prodhuesin atëherë hapen vende pune. Pa prodhim nuk krijohen vende të reja të punës”, ka thënë Hasani në Tribuna Channel.
“Limajn e kam krah të fuqishëm në mbrojtje të prodhimeve vendore. Kemi marrë një serë vendimesh ku lirohen nga akcizat linjat e prodhimit, pra makineritë prodhuese janë të liruara nga akciza dhe dogana”, ka theksuar kreu i MTI-së.