Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka vizituar fabrikën “EuroMaks” në Pejë, e cila ka ndërprerë funksionimin muajin e kaluar, si pasojë e një zjarri. Sipas pronarit, dëmi i shkaktuar nga zjarri kap vlerën gjysmë milioni euro.
Kreu i MTI-së premtoi me këtë rast se ministria do të mundohet në bazë të kapaciteteve të saj të ndihmojë në riparimin e kësaj fabrike, raporton Ekonomia Online.
“Sot kemi dalë në vizitë në Pejë, në ‘Euromaks’. Fatkeqësisht po e shohim çfarë gjendje ka krijuar zjarri. Shprehim keqardhje që ka ndodhur kjo fatkeqësi. Ju e dini se nga fillimi i mandatit ne jemi zotuar se do të përkrahim prodhimet vendore. Këtu kemi të bëjmë më një fabrikë që ka prodhuar pelet. Sot jemi këtu në vizitë për ta shqyrtuar mundësinë dhe për të parë gjendjen aktuale se si është. Besoj se gjatë ditëve në vijim do t’i shohim të gjitha mundësitë për t’i dalë në ndihmë kësaj kompanie”, tha Hasani
“Unë inkurajoj menaxherin dhe pronarin e kësaj kompanie që të vazhdojnë me mundësitë që kanë ta rimëkëmbin. Besoj se do t’i ndihmojmë ne si Ministri dhe si Qeveri sadopak. Por mbetet ta analizojmë, për shkak të pamundësive buxhetore. Do të mundohemi të jemi përkrah tyre për çfarëdo që kanë nevojë”, deklaroi ministri.
Blerim Muriqi, menaxher i kompanisë, tha se presin ndihmë nga qeveria për të riparuar gjendjen e shkaktuar nga zjarri.
“Kjo është një gjendje e cila kërkon kogja inpenjim. Meqenëse ka ardhur si gjendje, ne presim nga kushdo, ministri, qeveria të na japin ndihmë sado që këta e kanë kapacitetin e vet; sepse ne e dimë qe mundësitë janë të limituara. Nuk është buxhet për të cilin kishim folur me terma shumë optimist. Megjithatë ardhja e ministrit është një mundësi që biznesi vendor po trajtohet në nivel të përgjegjësisë pushtetare”.
“Shpresojmë që të gjejmë zgjidhje adapt mundësive që te ecim përpara, atje ku kemi qenë, të ndërtojmë diçka të suksesshme, meqenëse kemi të bëjmë edhe me biznesin edhe me fuqitë punëtore të cilat do t’i sistemojmë”, u shpreh Muriqi.
Në lidhje me dëmin e shkaktuar, ai tha se sipas ekspertëve të pavarur, shkon deri në rreth gjysmë milioni euro.