Ministri i Arsimit ndërron 4 anëtarët e Bordit të UP-së

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkarkuar 4 anëtarët e bordit të Universiteti të Prishtinës Muharrem Bajrami, Fisnik Reçica, Mentor Geci dhe Muzafere Limani të emëruar nga ministrja, Hykmete Bajrami.

Emërimi i Limanit ishte bërë në muajin mars kurse i tre tjerëve në muajin maj.

Në vend tyre ministri Likaj, ka emëruar Mimoza Hasani-Pllana, Arton Demhasaj, Merita Bogaj dhe Ujkan Bajra. Ky i fundit, ka qenë kryesues i Këshillit drejtues të UP-së por bashkë me 2 tjerë ishte shkarkuar nga ministrja Bajrami.

“Shfuqizohet vendimi i datës 4.03.2020 për plotësim ndryshimin e vendimit nr.ref.01/B/248 dhe vendimi i datës 13.05.2020 për emërimin e anëtarëve të Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Emërohen anëtarët e Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ me përbërjen si vijon: Mimoza Hasani-Pllana, Ujkan Bajra, Arton Demhasaj, Merita Bogaj”, thuhet në vendimin që e ka siguruar “KOHA”.

Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës, ka 9 anëtarë. Sipas statutit të UP-së, Ministria e Arsimit, emëron katër anëtarë derisa Senati zgjedhë pesë anëtarë tjerë nga personeli akademik i Universitetit.

Të ngjashme