Ministri i Brendshëm britanik, Sajid Javid, nuk ka arritur të kalojë në fazën tjetër të garës për kryetar të Partisë Konservatore, çka nënkupton edhe marrjen e pozitës së kryeministrit të shtetit.
Javid ka fitur 34 vota, Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, 59 vota, ministri britanik i Mjedisit, Micheal Gove, 61 dhe kandidati kryesor për kryeministër, Boris Johnson ka fituar 157 vota.
Raundi i pestë i votimit do të mbahet në orët e pasdites, pas së cilit do të bëhen të ditur emrat e dy kandidatëve kryesorë për kryeministër.
Emri i drejtuesit të ri të Partisë Konservatore do të dihet më 22 korrik.
Theresa May, ka njoftuar se më 7 qershor se do të largohet nga pozita e lideres së kësaj partie duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka pasur, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.