Zv.kryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi priti sot drejtorin e operacioneve të Aeroports de Lyon që ka në menaxhim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”, z. Jamel Ladhari, me të cilin diskutuan mes tjerash për hapjen e linjave të reja ajrore për bashkatdhetarët tanë, që do të minimizonin kostot e biletave për të cilat diaspora kosovare tashmë disa vite ankohen se janë të larta.
Gjatë këtij takimi ministri Gashi ofroi bashkëpunimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës që së bashku me menaxhmentin e Aeroportit, me tour operatorët nga Kosova dhe me agjencitë e tjera relevante të ofrojnë kushte sa më të mira për udhëtimin e bashkatdhetarëve për në Kosovë.
“Së shpejti do të bëhet një memorandum mirëkuptimi i cili do të theksojë qartë përgjegjësitë e të gjitha palëve të përfshira. Koncentrimi ynë është që fillimisht të ulen çmimet e biletave duke futur konkurrencë sa më të madhe të avio-kompanive në Kosovë, e më pas edhe të parandalohet vjedhja nga tour operatorë mashtrues të cilët kanë dëmtuar në shumë raste bashkatdhetarët tanë”, theksoi mes tjerash Gashi, duke shtuar se në këtë kontekst do të formohet së shpejti një grup punues ku do të përfshihen Ministritë e linjës si dhe institucionet tjera përgjegjëse.
Nga ana tjetër, Ladhari tha se është duke punuar që të sjellë linja ajrore nga kompani me renome si Air France, KLM, SAS, British Airways në mënyrë që qarkullimi i pasagjerëve të jetë sa më i madh ndërsa kostot të jenë më të ulëta.