Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është shprehur të jetë i shqetësuar me lajmin për uljen e dënimit për vrasësin e Valbona Ndrecaj dhe vajzës së saj, Pjetër Ndrecaj.
Selimi nëpëmjet një postimi në rrjetin social Facebook theksoi se politika e dënimeve mbetet një nga sfidat e sistemit të drejtësisë në vend.
“Drejtësia në vend nuk është e përkryer, por me të gjitha sfidat, mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë me guxim që ta avancojmë sistemin e drejtësisë”.
Ky është postimi i plotë i Selimit:
Lajmin për uljen e dënimit për vrasësin e Valbonës dhe vajzës së saj, Pjetër Ndrecajn, e kam përcjellë me shqetësim të madh. Politika e dënimeve mbetet një nga sfidat e sistemit tonë të drejtësisë. Si ministër jam zotuar që politika do t’i mbajë duart larg drejtësisë, sado që kjo është e vështirë. Detyrë e imja është garantimi i një sistemi gjyqësor efikas, të pavarur dhe të paanshëm, i qasshëm për të gjithë.
Nuk dua të marr asnjëherë merita kur një prokuror apo gjykatës i guximshëm ndjek dhe dënon zhvatësit e shtetit e të korruptuarit, se ajo është meritë e tyre. Por, në të njëjtën formë, jam i zotuar për të respektuar ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit. Drejtësia në vend nuk është e përkryer, por me të gjitha sfidat, mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë me guxim që ta avancojmë sistemin e drejtësisë.