Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, e anuloi udhëtimin në zonën e konfliktit në lindje të Ukrainës, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, njoftoi transmetuesi gjerman Deutsche Welle.
Udhëtimi ishte i planifikuar për të martën, përpara bisedimeve të muajit të ardhshëm midis Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë, për t’i dhënë fund konfliktit.
Në vend të kësaj, Maas do të takojë në Kiev ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystayko, dhe presidentin Volodymyr Zelenskiy.
Bisedimet katërpalëshe, të njohura si Formati i Normandisë, do të mbahen më 9 dhjetor.
Hera e fundit kur janë takuar udhëheqësit e katër vendeve ka qenë në tetor të vitit 2016.
Bisedimet kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës, i cili ka nisur qysh në vitin 2014 dhe ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë dhe mbi 1.5 milion të zhvendosur.
Bisedimet do të mbahen në Paris dhe nikoqir i tyre do të jetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.