Ministri i Jashtëm i Indisë nuk do të marrë pjesë në takimin e grupit G-7 që do të mbahet në Londër të mërkurën. Ai u tërhoq nga pjesëmarrja për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj koronavirusit.
Diplomatët e grupit G-7 të kombeve të pasura po mbajnë mbledhjen e tyre të parë, ballë për ballë pas dy vjetësh. Kjo mbledhje do realizohet duke mbajtur distancën dhe masat e tjera anti-Covid.
Ministri Indian i Punëve të Jashtme Subrahmanyam Jaishankar, përmes një postimi në Twitter tha se është në dijeni mbi rrezikun ndaj ekspozimit të virusit, andaj edhe takimin do ta zhvillojë në mënyrë virtuale.
Zyra e Jashtme e Britanisë, e cila organizoi takimin, nuk ka konfirmuar nëse ndonjë delegat kishte rezultuar pozitiv, ndërsa delegatët që marrin pjesë në këtë ngjarje në Lancaster House në Londër do ruajnë distancën dhe janë testuar çdo ditë për virusin, shkruan Associated Press.
India nuk është anëtare e G-7 por u ftua së bashku me Korenë e Jugut, Australinë dhe Afrikën e Jugut si mysafirë për ditën e dytë të takimit të mërkurën.
Dita e dytë e takimit dy-ditor të G-7 të Mërkurën do të përqendrohet në përpjekjet për të forcuar shoqëritë e hapura dhe për të bërë të mundshme vaksinat e koronavirusit në të gjithë botën.