Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, do të vizitojë Kosovën në fillim të muajit qershor për t’u takuar me liderët institucionalë të vendit.
Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post zyra për medie në Ministrinë e Punëve të jashtme të Greqisë.
“Ministri Dandias do ta vizitojë Kosovën herët në qershor, pas zhvillimeve të fundit dhe formimit të qeverisë së re”, thuhet në komunikimin me shkrim të zyrës greke.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por nga MPJ greke deklarojnë se shteti i tyre ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Kosovës në aspektin ekonomik duke synuar avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.
“Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar, por në të njëjtën kohë, dihet po aq mirë që Athina ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës, duke e mbajtur që nga viti 2019 një zyrë të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë dhe punon me Kosovën për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme”.
“Në këtë drejtim, duke synuar avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh dhe lehtësimin e funksionimit të Zyrës, pa implikuar aspektet e lidhura me statusin, kjo zyrë është riemëruar si zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”, thuhet më tutje në emailin e Ministrisë së Punëve të jashtme të Greqisë.
Më tej në këtë komunikim, diplomacia greke ka shtuar se do të ndihmojë Kosovën në rrugën e sajë evropiane.
“Dhe në këtë kontekst po mbështet edhe liberalizimin e vizave. Greqia po kontribuon gjithashtu me një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të Forcave Greke në KFOR”, thuhet në përgjigjen me shkrim përmes postës elektronike, për Albanian Post, nga diplomacia greke.
Ministria e punëve të jashtme në këtë shtet ka deklaruar se shteti i tyre do të jetë mbështetës i fortë i dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Para disa ditësh është raportuar se Ministri i Punëve të Jashtme Greke, Nikos Dendias, pati një bisedë telefonike me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, rreth zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor.
Në anën tjetër, mediat serbe kanë raportuar në vazhdimësi se presidenti amerikan, Joe Biden, po i bën presion qeverisë greke për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, para ri-fillimit të dialogut. Por, nga Shtëpia e Bardhë nuk ka pasur deklarim rreth këtyre raportimeve.