Ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskomandanti i FSK-së marrin pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Prishtinë | 14 Tet 2026 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me zëvendëskomandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqin dhe krerët më të lartë shtetërorë, morën pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku gjeneralmajor Özkan Ulutaş ia dorëzoi detyrën gjeneralmajor Roberto Vergorit.

 Në këtë ceremoni, ministri falënderoi gjeneralmajor Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, ndërsa komandantit të ri, gjeneralmajor Vergorit, i uroi suksese në përgjegjësinë e tij të re. Ai vlerësoi lart përkushtimin e KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. 

Gjatë ceremonisë, ministri Maqedonci zhvilloi një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, Guido Crosetto, me të cilin diskutoi për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes. Me këtë rast, ai u informua se Ministria e Mbrojtjes e Italisë është duke përgatitur një dokument që synon zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë. 

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja mbeten të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim që të ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme