Ministri i Sigurisë i Bosnjës lajmëroi së do të jep dorëheqje për shkak të, sipas tij, mungesës së përkrahjes në trajtimin e krizës së emigrantëve nga ana e qeverisë së dobësuar nga grindjet e brendshme, raporton Reuters.
“Arsyet janë thjeshtë çështje principi“, tha Fahrudin Radonçiq, i cili është edhe kryetar i partisë qendrore SBB në koalicionin qeveritar.
“Kemi mosmarrëveshje politike”, tha ai, duke iu referuar mospajtimeve rreth ndalimit të hyrjes së emigrantëve ilegalë.
Muajin e kaluar, Radonçiq propozoi dëbimin e 9,000 emigrantëve ilegalë nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Propozimi i tij u përcoll me kritika të ashpra nga aktivistët për të drejtat e njeriut dhe dështoi në marrjen e aprovimit nga kabineti shumë-partiak, transmeton KOHA.
Ai ka akuzuar ambasadorin e Bosnjës në Pakistan se ka qenë i përfshirë në lëshimin e vizave të rrejshme dhe ambasadorin e Pakistanit në Bosnje se ka dështuar të ndihmojë autoritetet në identifikimin e emigrantëve pa dokumente nga Pakistani.
Që të dy ambasadorët mohuan këto akuza, dhe partia më e madhe e Bosnjës, SDA, të cilët janë partnerë të Radonçiqit në disa nivele të qeverisjes, i shpërfillën këto akuza.
Radonçiq tha gjithashtu se nuk pajtohej me presionin që SDA u ka bërë gjykatave në lidhje me një skandal të korrupsionit rreth blerjes së ventilatorëve me defekt për pacientët e koronavirusit, ku kryeministri i njërës nga dy rajonet autonome të Bosnjës, që është anëtar i partisë SDA, është i akuzuari kryesor për këtë skandal.
Radonçiq tha se koalicioni i dobët udhëheqës në mes partive serbe, kroate dhe boshnjake, qeverisë qendrorë që nga lufta e viteve 90-ta me bazë në Sarajevë, nuk po funksiononte. “Situata afatgjate nuk është optimiste”, ka thënë ai.