Për sëmundjet e zemrës dhe stentimin, Ministria e Shëndetësisë, përmes programit për trajtim jashtë vendit, ka shpenzuar 2 milionë euro më pak këtë vit sesa në vitin e kaluar.
Në vitin 2017, për këto trajtime, janë shpenzuar mbi 2.3 milionë euro. Kurse, këtë vit, janë shpenzuar vetëm 110 mijë euro, dhe atë deri në muajin shkurt, kur është lëshuar shërbimi 24 orësh në QKUK në Kardiokirurgji dhe Kardiologji.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Sipas tij, këto shërbime kanë bërë që tani të hiqet edhe lista e pritjes për stentim në QKUK.
“Në vitin 2017, për trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe stentimin, janë paguar mbi 2.3 milionë euro për t’i trajtuar qytetarët tanë jashtë vendit ose jashtë Institucioneve publike shëndetësore. Këtë vit, kemi shpenzuar vetëm 110 mijë euro, madje vetëm deri në muajin shkurt, kur kemi lëshuar shërbimin 24-orësh në QKUK për këto raste. Të gjitha rastet tjera pastaj janë trajtuar në QKUK, me ç’rast edhe është hequr lista e pritjes për stentim”, ka shkruar ai.