Ministri Ismajli nuk i përgjigjet sërish komisionit për Mbikëqyrjen e Financave

Prishtinë | 28 Shk 2018 | 15:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën janë miratuar amendamentet për Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, raporton Ekonomia Online.

Në rendin e ditës ka qenë edhe shqyrtimi i raportit të auditimit për PVF-të e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016 dhe shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve për raportin e auditimit për PVF-të e SHSKUK-së për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016,

Por këto pika janë shtyrë për mbledhjen e radhës, pasi për të dytën herë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka injoruar ftesën për të qenë pjesë e komisionit.

Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se për mosprezencën e tij, ministri Ismaili është arsyetuar se për periudhën kur është hartuar raporti ai nuk ka qenë ministër.

“Për ketë cështje nuk na është përgjigje pozitivisht ministri Uran Ismaili. Ai nuk ndihet obligues për shkak se ka thënë që raporti përfshinë një periudhë gjatë së cilës s’ka qenë ministër. Këtë e vlerësoj si papërgjegjësi. Ministri ka kërku qe me dërgu sekretarin por kjo është e papranushme”, ka thënë Selmanaj.

Anëtari i këtij komisioni, Avdullah Hoti, ka thënë se habitet me qasjen e ministrit, derisa ka kërkuar që ministri të ftohet sërish në mbledhje.

“Po habitem me qasjen e ministrit, kjo nuk ka ndodh asnjëherë. Nuk mund të ketë shkëputje. Kisha kërku që edhe një herë me një letër ti kërkohet që të vijë. Nuk po i kërkojmë me i marr përsipër të gjeturat e auditorit”, ka thënë Hoti.

Anëtarët e komisionit janë dakorduar që ministri të ftohet edhe një herë, që është ftesa e tretë.

Deputeti Muharrem Nitaj tha se ministri nuk është i informuar që ka obligime.

“Ndoshta ministri nuk është i informum që ka obligime. Mendoj se duhet ti shkruhet një leter.  Nëse sërish nuk vjen propozoj që rekomandimet të dërgohen më seancë. Propozoj që të shtyhet kjo pikë”.

Anëtari tjetër i komisionit, Mërgim Lushtaku, tha se ministri është i njoftuar me këtë çështje.

“Edhe unë propozoj që të shtyhet kjo pikë. Ministri e di këtë cështje por nuk ka dasht me u përballë me një ish-koleg të tij. Duhet ta ftojmë ministrin edhe njëherë”, ka thënë Lushtaku.

Mbledhja e radhës e komisionit u caktua për të mërkurën në ora 13:00.

 

Të ngjashme