Ministri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora, beson se futbollisti i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka thyer protokollin shëndetësor duke udhëtuar drejt Portugalisë për detyrat me kombëtaren.
Portugezi kishte luajtur ndaj Spanjës dhe Francës para se të rezultonte pozitiv në testin për koronavirus, ditë më parë. Më pas u detyrua të shikonte nga larg fitoren e Portugalisë ndaj Suedisë, por në mediat italiane bëri bujë raportimi se 35-vjeçari ishte i pari që kishte thyer rregulloren e Juventusit para se të shkonte të luante për Portugalinë.
Ronaldo dhe pjesa tjetër e ekipit kishin rezultuar dy herë negativë në testime, por sipas protokollit të Federatës Italiane, atyre iu desh edhe një test para se të lejoheshin për largim nga Italia.
Sipas raportimeve, ish-ylli i Real Madridit kishte ngritur zërin ndaj krerëve të klubit dhe bashkëlojtarëve, para se të vendoste të largohej nga stadiumi Allianz, për të udhëtuar drejt Portugalisë.
Tani ministri i Sportit, Spadafora, është shprehur se beson që Ronaldo ka shkelur protokollin duke udhëtuar drejt dhe nga Portugalia.
“Mendoj se po, nëse s’ka pasur ndonjë autorizim të veçantë nga autoritetet e shëndetësisë”, është shprehur ai për “Rai Radio 1”.