Ministri izraelit i Shëndetësisë, Yaakov Litzman dhe gruaja e tij Chava kanë dalë pozitiv me Coronavirus, njoftoi zyra e tij pas mesnatës së të mërkurës, duke thënë se ata të dy ishin në gjendje të mirë.
Ministri 71 vjeçar është zyrtari më i lartë izraelit që diagnostikohet me virusin.
Dyshja ishin “trajtuar në mënyrë të përshtatshme dhe janë në izolim, nën vëzhgim në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë,” thoshte deklarata, duke shtuar se të gjithë ata që kishin qenë në kontakt me ta do të informohen dhe dërgohen në karantinë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ishte informuar për zhvillimet, thuhej në deklaratë, por nuk thoshte nëse kjo do të ndikonte te kryeministri, i cili doli nga një karantinë vullnetare të mërkurën në mbrëmje, pasi një nga ndihmësit e tij u zbulua se kishte virusin, raportojnë mediet në Izrael.