Ministri jep detaje – Këto janë pagat e reja të mësimdhënësve, mjekëve e policëve

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka dhënë detaje për rritjen e pagave të sektorit publik, raporton Ekonomia Online

Ai ka thënë se kësaj here nuk do të rritet koeficienti, por njësia e tij. Sipas tij, të gjithë punëtorët e sektorit publik do të marrin paga më të larta prej 50 euro nga janari dhe 110 nga korriku.

Tutje, ministri nga janari 2025, shtohet 0.5 njësi koeficienti, ndërsa nga korriku 2025, shtohet edhe 0.5 njësi koeficienti (total 1 njësi).

Ai ka dhënë edhe disa shembuj se sa do të jenë pagat e mësimdhënësve, mjekëve e policëve.

“Nga 616 euro sa i merr një mësimdhënës aktualisht, nga janari ai do t’i marr 725 euro. Një infermier nga 605 euro do t’i marrë 715 euro. Rritje të pagës ka edhe për zyrtarët policor ku nga 550 euro përfiton pagë 660 euro”, ka thënë Murati.

Fjala e plotë e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati:

Është kënaqësi të jem sot me ju këtu dhe para jush, media të nderuara, para të gjithë qytetarëve si dhe para punonjësve të sektorit publik, për të cilët kryeministri sapo dha lajmin e mirë, që nga janari parashihet rritja e pagave, por jo siç ka qenë rëndom pra që të rritet vlera e koeficientit dhe proporcionalisht te përfitojnë te gjithë. Kësaj radhe, kemi vendosur që buxheti i maksimalizuar për rritjen e pagave, pra kemi shkuar ne maksimumin e lejuar sipas ligjit e falë rritjes ekonomike edhe kemi pasur hapësirë te mjaftueshme, dhe atë buxhet që e kemi pasur në vend që ta shpërndajmë proporcionalisht, pra tek të gjithë me përqindjen e njëjtë, kemi vendosur që ta shpërndajmë në vlerë absolute, ku pastaj nëse përkthehet në përqindje i bie për disa pozita që kanë paga më të ulëta, rritja në përqindje do të jetë shumë e lartë, ndërsa për pozitat e larta drejtuese rritja mund të jetë 5, 6 apo 7% varësisht nga niveli i koeficientit.

Kësisoj edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale por edhe po sigurohemi që ata që janë kontribuesit më të mëdhenj për funksionimin e vazhdueshëm të administratës publike, të shërbimeve publike si mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, administrata publike, pra profesionistët që punojnë këtu, të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje. Gjithsesi, edhe në diskutimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, saktësisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka qenë një negocim i vazhdueshëm që ata t’i bindim, dhe falë disiplinës fiskale dhe maturisë sa i përket politikave fiskale qe kemi treguar në katër vitet e fundit, ka qene më e lehtë që të binden që të shkojmë me këtë version.

Rritja pra bëhet në dy faza (dy hapa), në mënyrë që të mundësohet përfshirja edhe brenda për brenda kufirit buxhetor. Pra fillimisht rritja do të bëhet me gjysmë njësie të koeficientit nga janari, nga pagat e janarit, apo përkthyer në vlerë monetare 55 euro bruto për të gjithë të punësuarit. Kurse nga korriku hyn në fuqi edhe pjesa e dytë e rritjes, gjysma tjetër e koeficientit, për të rezultuar në një koeficient të plotë, pra 110 euro shtesë për secilin të punësuar në sektorin publik, rritje e pagës.

Në vazhdim mund të shohim disa shembuj të disa prej pozitave kyçe. Pra mund ta shihni sa është koeficienti tash dhe sa rezulton paga bazë pa shtesat e përvojës se punës dhe shtesat tjera që mund të parashihen, dhe sa do të duket paga me koeficientin e ri si dhe rritja e shprehur në përqindje.

Siç e shihni ka rritje prej 17. 85% për mësuesin dhe ushtarin e deri në 20% për policët, zjarrfikësit, infermierët. Duhet të kemi parasysh që ka edhe pozita me koeficientin 4, përkatësisht punëtorët teknikë, për të cilët rritja e shprehur në përqindje do t’i bie mbi 25%. Do me thonë, kemi dashur dhe jemi siguruar që ato para që i kemi pasur në dispozicion që kanë rezultuar si rezultat i mirëmenaxhimit të buxhetit për këto katër vjet dhe e rritjes së qëndrueshme ekonomike, t’i shpërndajmë sa më shumë tek ata që kanë pagat më të ulëta në mënyrë që edhe në vazhdim të zvogëlojmë hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët në sektorin publik. Pra, nga 1 janari 2025 shtohet 0.5 njësi koeficienti për të gjithë të punësuarit, kurse nga korriku i vitit 2025 shtohet edhe 0.5 njësi koeficienti tjetrë – në tërësi një koeficient për secilin të punësuar në sektorin publik.

Pra, kjo është çfarë kemi arritur të bëjmë dhe besoj që është lajm tepër i mirë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, sepse kemi dëgjuar kohëve të fundit që ka pasur premtime të paqëndrueshme dhe të pasakta e që nuk përkojnë as me realitetin buxhetor e as me ligjshmërinë dhe kornizën ligjore. Mirëpo kësisoj, ne po arrijmë që duke ndryshuar formulën e kalkulimit dhe formulën e rritjes, rritja të shpërndahet me tepër tek ata që kanë paga më të ulëta, si përqindje pra edhe mbi 20% deri në 25 apo 30% për disa raste specifike.

Faleminderit që ishit sot këtu.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme