Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha të hënën se vendi i tij nuk do t’i frikësohej përballjes me Shtetet e Bashkuara, por do ta mirëpriste bashkëpunimin, nëse ai është dobiprurës në mënyrë reciproke.
Kryediplomati kinez tha përmes një fjalimi të publikuar në uebfaqen e Ministrisë se Jashtme se problemet në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara e Kinës janë për shkak të “gjykimeve të gabuara strategjike nga pala amerikane.
“Nëse ka përballje, atëherë (Kina) nuk do t’i frikësohet asaj dhe do të luftojë deri në fund”, tha Yi, duke shtuar se nuk ka gjëra të dëmshme nga konkurrenca, por ajo duhet të jetë pozitive, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Raportet mes dy fuqive botërore janë në pikë të ulët për shkak të disa mosmarrëveshjeve, përfshirë ato për prejardhjen e pandemisë së koronavirusit, tregtinë, të drejtat e njeriut dhe trysninë e Pekinit ndaj Tajvanit.
Në një bisedë telefonike muajin e kaluar, që zgjati më shumë se tri orë, presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri trysni për të drejtat e njeriut homologut të tij kinez, Xi Jinping, ndërsa ky i fundit paralajmëroi se Kina do t’i përgjigjet atij që e cilësoi provokim rreth Tajvanit.