Gjersa turizmi po rifillon në mënyrë shumë të ngadalshme, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën pas humbjeve që kanë pësuar të dyja vendet gjatë pandemisë, në mënyrë që të ringjallet sektori i turizmit.
Klosi mes tjerash ka thënë se duhet të krijohet një cikël nëpërmjet kompanive turistike që të bashkërendojnë në 12 muaj turizmin në Shqipëri dhe në Kosovë.
“Turizmi duhet ta kuptojmë që është një urë e jashtëzakonshme bashkëpunimi ndërmjet problematike dhe zhvillimeve të të dyja anëve të bjeshkëve. Por në qoftë se sot dakorduam diçka të rëndësishme me kolegët Krasniqi, është që të kemi mundësinë që detin ta shikojmë si detin e të gjithë shqiptarisë, nuk është deti vetëm i Shqipërisë, është i gjithë shqiptarisë. Por, shumë më tepër shumë turistë të Shqipërisë të vizitojnë bukuritë që ka Kosova, sidomos në turizmin e dimrit, e prandaj të krijojmë një cikël edhe nëpërmjet kompanive turistike që të bashkërendojnë në 12 muaj turizëm në Shqipëri dhe në Kosovë”
Klosi mes tjerash ka thënë se sektori i turizmit ka qenë më i godituri nga pandemia.Ai tha se përkundër sfidave gjatë kësaj kohë janë munduar që të promovojnë Shqipërinë për të qendruar ky sektor në këmbë.
“Gjatë këtyre tre muajve të pandemisë ne nuk u tërhoqëm, por vazhduam të promovojmë Shqipërinë, të promovojmë turizmin. E po ashtu të ndihmojmë këtë sektor për të ndenjur në këmbë. Sot jemi jo të gjunjëzuar, por në kohën kur të gjithë janë të tërhequr sa i përket biznesit në Vlorë investohet akoma në hotele të reja, në struktura të reja, ka kërkesë, ka biznes. Por pandemia e ka goditur shumë, ka thënë Klosi.
Më tutje ai ka bërë thirrje që shqiptarët t’i bëjnë pushimet në Shqipëri dhe Kosovë në mënyrë që ta rimëkëmbin ekonominë dhe sektorin e turizmit.
“Do të doja shumë që këtë herë, këtë verë shqiptarët të zgjedhin Vlorën dhe jo vetëm Vlorën, por gjithë bregdetin e Shqipërisë si destinacionin turistik të kësaj vere”.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka falënderuar të gjithë vizitorët qe kanë qëndruar në Vlorën historike, ku ka bërë thirrje edhe për këtë sezon që të vizitohet Vlora sepse siç tha ai në këtë qytet ka shumë histori dhe bujari për tu treguar.
“Do të doja që nëpërmjet medieve tuaja dhe çdo publikimi të mund të kemi sa më shumë vizitorë. Ata të cilët kanë vizituar Vlorën deri më sot faleminderit që kanë bërë këtë dhe i mirëpres në vitet në vazhdim sepse Vlora ka shume për të afruar, ka shumë histori për të treguar ka shumë bujari”, tha ai.
Ndërsa Vasil Bedinaj, pronar i “Regina Blue“, ka falënderuar mediet nga Kosova që ishin të pranishme në inaugurimin e këtij hoteli.
Nën organizim të kompanisë turistike “Fibula”, gazetarë të medieve në Kosovë po shijojnë nga afër vendet më të bukura në Shqipëri të cilat mund të ofrohen me çmime të volitshme duke zgjedhur aranzhmanet e saj.