Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilinë kanë biseduar për raportet tregtare, mundësinë e investimeve, rolin e diasporës shqiptare, turizmin dhe bujqësinë.
Ministri Krasniqi fillimisht ka falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës.
“Nuk duhet harruar që Zvicra ka qenë dhe është një vend mik i Kosovës, që e ka ndihmuar vendin tonë si para luftës, gjatë dhe pasluftës në rimëkëmbje dhe në zhvillim”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ministri ka theksuar nevojën për rritjen edhe më të madhe të bashkëpunimit dhe urave lidhëse të bizneseve Kosovë-Zvicër, duke iu bërë ftesë investitorëve zviceranë që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë.
Duke folur për turizmin malor, ministri ka përmendur vendet me potencial të mrekullueshëm për skijim, si: Brezovica, Rugova, Brodi dhe Shala e Bajgores.
“Zvicra si një shtet i njohur për pista të skijimit dhe me një turizëm malor të zhvilluar mund t’i ndihmojë këto zona duke i bërë atraksion jo vetëm për qytetarët e rajonit, por edhe për vizitorë të shteteve të Evropës Perëndimore”, ka theksuar ministri.
Ambasadori zviceran, Thomas Kolly, ka falënderuar ministrin për informacionet e prezantuara dhe ka shprehur gatishmërinë e shtetit helvetik për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.