Ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi, ka vizituar marketin “Meridian”, raporton Ekonomia Online. Krasniqi tha se kanë hartuar Pako për Rimëkëmbje të ekonomisë, dhe sipas tij rreth 70% të bizneseve kosovare do të ndihmohen.
Ai ka paralajmëruar që javën tjetër pritet të bëhet edhe rishikimi i buxhetit në mënyrë që të fillojë shpërndarja e 170 eurove për të gjitha kategoritë që janë përfituese të Pako Emergjente Fiskale.
“Na besojë që javën e ardhshme do ta kemi edhe rishikimin e buxhetit. Dhe me 170 euroshin kemi me startuar dhe besoj që edhe qeratë”.
“Ne si qeveri kemi hartuar një pako për rimëkëmbjen e ekonomisë nuk besoj që mundet qind për qind, por diku rreth 70 për qind bizneset kosovare do t’i prek kjo pako”.
“Pastaj edhe përmes kredive do të bëhen lehtësira diku janë rreth 15 hapa që do t’i ndërmarrim. Besoj që do të arrijmë që pak a shumë ta mbajmë biznesin aktiv”.
“Ne kemi pasur një takim me ministren e Financave me bizneset dhe Bankën Qendrore dhe për disa pika jemi në fund të marrëveshjeve që do të jeni ne si garantues i disa obligimeve duke filluar prej kredive dhe të tjera”, tha Krasniqi.
Agon Gashi drejtor i “Meridian”, ka thënë se një pjesë të punëtorëve nga data 1 qershor kanë arritur t’i kthejne në punë.
“Punëtorët kemi arrit me i kthyer në punë prej datës 1 qershor por problem është që ka rënë konsumi. Ideja është me kthyer besimin se te konsumatori”.
“Është shumë e rëndësishme që sektori privat mu trajtuar në mënyrën më fer dhe më të mirë të mundshme, por qasja në financa është kyçe”.