Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve.
Ministri Krasniqi falënderoi shtetin e Turqisë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe e njoftoi për masat që janë duke u marrë për t’i mbështetur bizneset dhe prodhuesit.
Ministri Krasniqi e njoftoi ambasadorin për prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, duke theksuar se Turqia është njëri nga investitorët kryesor në Kosovë.
Në takim u diskutua edhe për marrëveshjen tregtare Kosovë-Turqi dhe shkëmbimet tregtare, që palët u pajtuan të rriten.
Ministri Krasniqi tha se do të krijohet një ekip që do t’i krijojnë lidhjet në mes bizneseve turke dhe kosovare dhe përmes pjesëmarrjes nëpër panaire të rriten shkëmbimet tregtare.
Ndërsa ambasadori i Turqisë tha se do t’i avancojnë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Turqisë dhe shprehu gatishmërinë për ta shfrytëzuar potencialin e vendit të tij për ta mbështetur Kosovën.