Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Hotelierëve të Kosovës “ProIn” për të biseduar rreth masave të marra, për shkak të pandemisë, nga institucionet qeveritare të Kosovës.
Ministri Krasniqi, pasi që i dëgjoi hallet që ata i shfaqen rreth hapjes së organizimit të dasmave dhe ahengjeve, u zotua se këtë çështje do ta diskutojë me të gjithë mekanizmat qeveritarë për mundësinë e rihapjes së këtyre organizimeve, por gjithherë duke u mbështetur në vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Po ashtu, ministri Vesel Krasniqi vlerësoi se kërkesat e Shoqatës së Hotelierëve të Kosovës do të trajtohen në afatin optimal në mënyrë që të qartësohet kjo çështje. Ai gjithashtu ritheksoi se gjithherë do të jemi në mbështetje të bizneseve.