Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë në diskutimin me temë “Rimëkëmbja Ekonomike nëpërmes energjisë së pastër”, të organizuar në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës.
Bashkë me ndërmarrës dhe me përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ministri Kuçi ka diskutuar për rimëkëmbjen ekonomike dhe përdorimin e mjeteve rimëkëmbëse nga Qeveria e Kosovës.
“Është fatkeqësi që ende nuk ka kaluar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Është e rëndësishme në çfarë kohe tu ofrohet ndihma bizneseve, pasi për dike mund të jetë vonë kur të kalojë ky ligj. Megjithatë, ne si Qeveri e Kosovës kemi marrë një vendim, ku kemi ndarë një buxhet për ndihmë ekonomike, që ka konsistuar në programin qeveritar”, ka thënë Kuçi.
Më tej, për informim të biznesve për energji të pastër, ministri ka folur për zhvillimet në liberalizimin e tregut për energji të ripërtritshme, në atë që do të quhet “Ankandi për Energji të Ripërtritshme”.
“Po punohet intensivisht gjatë mandatit tim si ministër, që të liberalizohet tregu dhe të krijohet Ankandi për Energji të Ripërtritshme, për të cilin po ndihmon Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha ai.
Gjatë diskutimit pati edhe propozime dhe sugjerime nga bizneset, për çka ministri i udhëzoi që të krijojnë një listë me sugjerime dhe i ftoi në bashkëpunim të plotë.