Ministri Latifi: Mbyllja totale nuk është opsion

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se mbyllja e vendit, mbyllja e shkollave dhe ekonomisë, nuk është opsion momentalisht.

Latifi ka thënë se Kosova momentalisht qëndron më mirë me pandeminë sesa vendet e tjera të rajonit. E Latifi ka thënë se vendet e rajonit nuk janë përcaktuar për mbyllje.

“Nuk besoj se tash për tash opsion është të mbyllen shkollat, të mbyllet ekonomia. Shumica e vendeve rreth neve, që e kanë gjendjen më të rëndë, nuk e kanë bërë këtë”, ka thënë Latifi.

Ai thotë se ka një dallim tash krahasuar me verën e kaluar, pasi një pjesë e madhe e popullsisë është e vaksinuar kundër COVID-19. Ndërsa Latifi ka bërë thirrje që të merren edhe doza e tretë apo doza përforcuese.

“Tash është gjendje tjetër në botë, jo vetëm në Kosovë. Populli është i vaksinuar tash, por duhet vaksinuar të gjithë. Edhe nëse marrim COVID-in, prapë do të jetë më i butë. Në SHBA si shembull nëse e ke Omicronin pushon 5 ditë dhe kthehesh në punë”, ka thënë Latifi në “DESK” të KTV’së.

Latifi ka refuzuar të fajësojë ardhjen e mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit për rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë. Por ai thotë se është normale që kur rritet fluksi i qytetarëve, ka mundësi të rritet edhe numri i rasteve.

“Nuk ka rëndësi se nga ka ardhur, me rëndësi është se e kemi COVID-in këtu. Duhet të marrim masa të mbrohemi. Të mbajmë maskë e të vaksinohemi”, tha Latifi.

Të ngjashme