Ministri Likaj: Memorandumi i nënshkruar ndërmjet dy qeverive për platformën digjitale është vazhdimësi e bashkëpunimit ndër vite

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit Ramë Likaj, sot në mbledhjen e dy qeverive Shqipëri – Kosovë, me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, znj. Evis Kushi nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar.

Tutje, Ministri Likaj tha se ky Memorandum është vazhdimësi e bashkëpunimit ndër vite, sepse tashmë vendet tona kanë të njëjtën Kornizë të Kurrikulës, kanë përafruar standardet e teksteve shkollore dhe kanë hartuar Kurrikulën e përbashkët për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Njoftimi i plotë:

Sot, pata kënaqësinë që, në mbledhjen e dy qeverive Shqipëri – Kosovë, me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, znj. Evis Kushi, të nënshkruajmë Memorandumin e Bashkëpunimit për platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar – akademi.al. Kjo platformë, e cila do të përdoret falas nga nxënësit dhe mësimdhënësit e të dyja vendeve, përveç që unifikon mësimin online, i kontribuon edhe ngritjes së cilësisë në arsim.

Ky Memorandum është vazhdimësi e bashkëpunimit ndër vite, sepse tashmë vendet tona kanë të njëjtën Kornizë të Kurrikulës, kanë përafruar standardet e teksteve shkollore dhe kanë hartuar Kurrikulën e përbashkët për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. Po ashtu, Ministritë e Arsimit të dy vendeve bashkëpunojnë në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, për çdo vit shpërndajnë falas tekstet shkollore për fëmijët shqiptarë në diasporë dhe po vazhdojnë programin e shkëmbimit të nxënësve. Këto janë vetëm disa nga të arriturat e përbashkëta drejt unifikimit të sistemit arsimor.Na priftë e mbara në vazhdimin e politikave strategjike të përbashkëta, të cilat zhvillojnë vendet tona dhe qytetarëve tanë ua bëjnë jetën më të lehtë!

🇽🇰
🇦🇱

#BashkePaKufi#NeNjeRajonPaKufij

Të ngjashme