Ministri Likaj uron studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020-2021

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit Ramë Likaj, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021 ka uruar të gjithë studentët që të vazhdojnë rrugën e ngritjes intelektuale.

Tutje, ai tha se po e vazhdojnë këtë vit me shumë sfida, mirëpo theksoi se bashkërisht mund t’ia dalin.

Njoftimi i plotë:

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021, kam kënaqësinë të ju uroj suksese gjatë studimeve dhe në jetën tuaj të përditshme. Në veçanti, uroj ata që këtë vit iu bashkohen institucioneve të arsimit të lartë dhe vazhdojnë rrugën e ngritjes intelektuale.


Po fillojmë këtë vit akademik, me një sfidë të përbashkët – pandeminë COVID-19. Por, studentët e Kosovës, kanë ditur gjithmonë t’iu prijnë proceseve të rëndësishme gjatë historisë. Jam i sigurt, se edhe ju keni po të njëjtën fuqi për të sfiduar vështirësitë, pra edhe kushtet e studimeve në forma që mund të ndryshojnë si shkak i pandemisë. Këtë do ta bëni, duke gjetur mënyra për përgatitjen tuaj profesionale sa më cilësore, në bashkëpunim edhe me mësimdhënësit tuaj.


Ju ftoj që të angazhoheni maksimalisht dhe bashkërisht ta bëjmë të sukseshëm këtë vit akademik edhe në rrethana të vështira. Kështu do të nderojmë vendin tonë dhe shumë breza të studentëve që u sakrifikuan për liri dhe jetë më të mirë.


Me këmbëngulësinë tuaj, do ta ndërtoni të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja dhe të Kosovës!
Ju dëshiroj një vit të suksesshëm akademik!

Të ngjashme