Ministri i Aarsimit Ramë Likaj, të hënën ka vizituar disa institucione shkollore në Komunën e Ferizajt, derisa gjatë ditëve të fundit në këtë komunë janë infektuar me Covid-19 gjithsejtë 27 mësimdhënës prej tyre 19 tashmë janë shëruar, ndërkohë janë infektuar edhe katër nxënës.
Shkaku i infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve është mbyllur shkolla fillore “Ali Hadri” në fshatin Mirash dhe janë mbyllur nga një paralele në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj pastaj një paralele në fshatin Nikadin, dhe një paralele në fshatin Tërrn. Ministri Likaj, është takuar fillimisht me zyrtarët komunal, me nënkryetarin e komunës, Arton Gavazi dhe me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani të cilët kanë njoftuar ministrin për zhvillimet e fundit në sektorin e Arsimit. Ministri Likaj dha vlerësime për punën e Drejtorisë së Arsimit dhe Shtabit Emergjent Lokal në menaxhimin e pandemisë në sferën e arsimit.
Arsye thelbësore e vizitës së tij, ishte inspektimi i shkollave për zbatimin e masave anti-covid si dhe njohja nga afër me sfidat e arsimit në kushte pandemie. “Përgëzoj autoritetet lokale që i kanë furnizuar shkollat me materiale e pajisje mbrojtëse kundër”, ka thënë midis të tjerash Likaj.
Në anën tjetër Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë se deri tash në këtë komunë janë testuar mbi 500 mësimdhënës dhe rreth 100 nxënës, ndërkohë kanë rezultuar 27 mësimdhënës pozitiv me Covid-19, prej tyre 15 janë shëruar. “Aktualisht vetëm 8 mësimdhënës i kemi aktiv me Covid-19, dhe dy nxënës. Ndërkohë pas këtyre rasteve kemi ndërprerë mësimin në një shkollë komplet dhe nga një paralele në disa shkolla. Ministrin e kemi njoftuar për sfidat dhe të arriturat në sektorin e arsimit dhe menaxhimin e mirë me situatën e pandemisë”, ka thënë midis të tjerash Llabjani. Ai ka shtuar se të gjitha shkollat janë të pajisura me materiale higjienike dhe pajisje të tjera për mbrojtje nga virusi Covid-19, po ashtu edhe niveli i higjienës në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt është mjaftë i mirë.