Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, tha se për vendin e tij, çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën është e mbyllur dhe se ky nuk është qëndrim vetëm i Podgoricës, por edhe i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara.
“Nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që kam thënë disa herë në këtë temë. Ne e kemi bërë atë që na ka takuar. Në Vjenë kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare me Kosovën dhe atë marrëveshje e kemi ratifikuar në Kuvend, ashtu siç kërkojnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis vendeve”, tha Darmanoviq për gazetarët në Podgoricë.
Ai tha se Mali i Zi nuk ka anuluar kurrë një marrëveshje të ratifikuar dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në rastin me Kosovën.
“Natyrisht se kemi durim për të pritur ndonjë zhvillim pozitiv të ngjarjeve në Kosovë, sepse kjo është çështje e tyre e brendshme. Nuk duam të bëjmë presion dhe as të krijojmë ndonjë astmosferë parregullsish”, tha mes tjerash ministri malazez.
Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015.
Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar ende këtë marrëveshje për shkak të kundërshtimeve të opozitës së mëparshme, e cila ka këmbëngulur se me të, Kosova humb territor.
Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në kohën e nënshkrimit ka qenë pjesë e opozitës, e ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion dhe ka emëruar komision të ri. Ai tash është në pritje të raportit të tij për kufirin.
Haradinaj po ashtu ka paralajmëruar se çështja e demarkacionit mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, por studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Kosova, pa Malin e Zi, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është kusht për Kosovën që të fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.