Ministri Maqedonci: Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, për të frenuar ndikimin rus në Ballkan

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur edhe njëherë vendosmërinë e saj për frenimin e ndikimit rus në Ballkan.

Kështu po vlerëson ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili thotë se këtë e konfirmon vet vizita në Kosovë e shefit të CIA-s, William Burns.

Në intervistën e tij ministri Maqedonci, ka ndarë pikëpamjet e tij mbi çështjet kryesore të sigurisë referuar zhvillimeve të shumta të kohës së fundit por dhe planet e kapaciteteve të FSK-së.

”Vlerësoj që mundësia për përshkallëzim në regjion do të mbetet prezente gjersa mbetet prezente ideja e Serbisë për hegjemoni në Ballkan dhe përderisa kjo ide nga strukturat shtetërore përkthehet operacionalisht përmes kërcënimit ushtarak dhe shfrytëzimit të grupeve jo-formale të armatosura dhe të organizuara nga strukturat e sigurisë në Serbi”, thotë ai mes tjerash në intervistë me klankosovën.

Intervista e plotë:

Forca e Sigurisë së Kosovës, në bazë të njoftimeve nga ministria që ju drejtoni, po merr pjesë nëpër stërvitje me shtete të ndryshme, veçmas me atë të ShBA-së, por edhe me shtete tjera aleate e mbështetëse të rrugëtimit të Kosovës dhe FSK-së në veçanti. A mendoni se në këto katër vite (ndonëse ju keni pak më shumë se 1 vit në detyrë), Ushtria e Kosovës ia ka dalë t’i përmbushë pritjet dhe që të jetë më afër anëtarësimit në NATO? Çka duhet të bëjë konkretisht FSK-ja që të afrohet edhe më shumë me Aleancën Veriatlantike, dhe përfundimisht të anëtarësohet në të?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Ministria e Mbrojtjes është duke vazhduar mbështetjen e zhvillimit të FSK-së në të gjitha fushat. Rritja e buxhetit dhe mbështetja me buxhet shtesë për dikasterin e mbrojtjes nga Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndikuar ndjeshëm në fuqizimin e sistemit tonë mbrojtës dhe mbështetjen e Forcës në arritjen e objektivave të vendosura në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Forca e Sigurisë e Kosovës përveç bashkëpunimit me ushtrinë e SHBA-ve dhe partnerët tjerë në fushën e trajnimit dhe ushtrimeve, gjithashtu ka dëshmuar që është partner kredibil dhe profesional duke bashkë-zbarkuar me trupat amerikane, britanike dhe të vendeve tjera në disa operacione ndërkombëtare, veçanërisht këto katër vitet e fundit. Gjatë periudhës pak më shumë se njëvjeçare prej kur kam marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes jam angazhuar në vazhdimin e përmbushjes së objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes. Të vendosura në fillim të mandatit të kësaj qeverie, por gjithashtu kam rritur përpjekjet për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët, fuqizimin e mbikëqyrjes civile ndaj forcës si dhe plotësimin e FSK me personel dhe sisteme te armatimit. Për herë të parë, gjatë vitit 2023, falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës buxheti për mbrojtjen ka arritur kuotën 2% të bruto prodhimit vendor, standard ky i kërkuar në NATO. Duke qenë pjesëmarrës aktiv i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës po dëshmojmë çdo ditë që vendi ynë ka arritur në nivel me vendet e NATO-s në aspektin e angazhimit të përbashkët për paqe dhe siguri. Gjatë muajit korrik për herë të parë kemi futur në funksion rregulloren për planifikim, programim, buxhetim dhe ekzekutim, rregullore kjo e hartuar në bashkëpunim me ekspertë nga SHBA që tani e tutje mundëson menaxhim të mbrojtjes shumë më të konsoliduar, planifikim më afatgjatë dhe ekzekutim më efikas të buxhetit të mbrojtjes. Përmes kësaj rregulloreje po fuqizojmë mbikëqyrjen civile dhe po mundësojnë arritjen e objektivave. Të gjitha blerjet ushtarake në Ministri të Mbrojtjes bëhen nga vendet dhe sipas standardeve të NATO-s dhe gjithë doktrina dhe programet trajnuese janë në përputhje me NATO-n. Të gjitha këto janë tregues që vendi ynë po përafrohet me NATO-n por dihet që vendimi për anëtarësim në NATO është vendim politik dhe varet nga vullneti i shteteve anëtare. Në këtë aspekt hezitimi për mbështetje i shteteve mos-njohëse brenda NATO-s vazhdon të mbetet pengesa kryesore në procesin e anëtarësimit. Në anën tjetër gjatë të gjitha vizitave që kam realizuar në vendet partnere si SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Turqi, Itali, Kroaci, Finlandë dhe vende të tjera jemi siguruar që mbështetja e këtyre vendeve për anëtarësimin e Kosovës në NATO do të vazhdoj dhe do rritet edhe më shumë.


Më 2 mars, 2022, Thesari i Kosovës ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve që dedikohen për Fondin e Sigurisë. U tha se përmes këtij Fondi mundësohet pranimi i donacioneve të mërgatës sonë si dhe çdo qytetari që është i interesuar të kontribuojë. A mund të na jepni detaje rreth këtij Fondi? Si po shkojnë donacionet? A janë duke vazhduar ato? Cila është shuma e synuar e këtij Fondi? A jeni afër realizimit të synimit?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Fondi i Sigurisë është fond që menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe është i dedikuar për forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes. Fakti që ky fond është për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë dhe duke pas parasysh legjislacionin në fuqi rreth informacioneve të klasifikuara pamundëson që të jepen shumë detaje rreth këtij fondi, mirëpo vlerësoj që qytetarët tanë brenda dhe jashtë Kosovës përveç që kanë përkrahur hapjen e këtij fondi kanë kontribuar dhe po vazhdojnë të kontribuojnë në këtë fond duke mundësuar kështu që të rritet siguria për të gjithë qytetarët e Kosovës. Institucionet tona kanë nevojë për zhvillim dhe modernizim të vazhdueshëm dhe duke shtuar këtu edhe situatën e brishtë të sigurisë si në nivel regjional ashtu dhe global, mbajtja funksional e këtij fondi dhe kontributi i qytetarëve përmes donacioneve në këtë fond është i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve dhe shtetit tonë.

Shtetet pjesëmarrëse në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti kanë rritur numrin e ushtarëve të tyre në këtë mision. Së fundmi, edhe ShBA-ja me më shumë se 100 ushtarë të Batalionit 1 të helikopterëve sulmues. Edhe Gjermania u raportua se e ka rritur numrin e ushtarëve në Kosovë nga 100 sa kishte deri në janar, në 300 gjithsejtë tani. Si e shihni këtë për sigurinë e vendit, cila mendoni se është arsyeja kyçe që kjo po ndodh?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar nga grupet terroriste dhe paramilitare të drejtuara nga kryeterroristi Radoiçiq ishte kulmimi i përpjekjeve të atyre strukturave jo vetëm për të cenuar sovranitetin e Republikës tonë por dhe për të destabilizuar gjithë regjionin e Ballkanit perëndimor. Ajo ngjarje e pasuar edhe me provokimet ushtarake të strukturave në Serbi, përveç që kanë detyruar institucionet tona të sigurisë të rrisin vigjilencën dhe gatishmërinë, gjithashtu janë parë edhe nga NATO si kërcënim i mundshëm për paqen dhe sigurinë e Kosovës dhe regjionit. Fatkeqësisht, grupet kriminale dhe terroriste që për vite cenuan sovranitetin, rendin dhe ligjin në komunat veriore si dhe terrorizuan qytetarët tanë në veri të vendit, vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara dhe operacionale në territorin e Serbisë, përgjatë kufirit me Kosovës, kjo besoj që është edhe arsyeja e rritjes së numrit dhe gatishmërisë operacionale të KFOR-it. Normalisht vlerësimi dhe vendimi për shtim apo zvogëlim të trupave të KFOR-it bëhet nga strukturat e NATO-s, varësisht nga nevojat operacionale në teren, prandaj këtë përgjigje mund ta japin më së miri strukturat e KFOR-it dhe NATO-s.

Së fundmi Kosova dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, e patën në vizitë shefin i CIA-s, William Burns. Çka paraqet sipas jush kjo vizitë në lidhje me sigurinë e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi? A ka ndonjë rrezik për ndonjë përshkallëzim në Ballkan?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Vizita e Shefit të CIA-së, William Burns tregon për vazhdimësinë e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe paqen në Ballkanin perëndimor por dhe për vendosmërinë e SHBA-ve për të frenuar ndikimin rus në Ballkan dhe pengimin e realizimit të synimeve të Rusisë për destabilizim e regjionit dhe minimim e proceseve të integrimit euro-atlantik. Vlerësoj që mundësia për përshkallëzim në regjion do të mbetet prezente gjersa mbetet prezente ideja e Serbisë për hegjemoni në Ballkan dhe përderisa kjo ide nga strukturat shtetërore përkthehet operacionalisht përmes kërcënimit ushtarak dhe shfrytëzimit të grupeve jo-formale të armatosura dhe të organizuara nga strukturat e sigurisë në Serbi.

Hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve ka sjellë mospajtime mes ekzekutivit të vendit dhe shteteve aleate. A mendoni se është koha e duhur tani që kjo urë të hapet? Ju si ministër i Mbrojtjes, si e shihni hapjen e kësaj ure për sigurinë e vendit, a mundet të ketë ndonjë përshkallëzim në aspektin e sigurisë në veri? Apo edhe më gjerë?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Kryeministri Kurti e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës rreth çështjes së urës së Ibrit. Çështja e urës nuk lidhet me dikasterin e mbrojtjes dhe mbetet çështje e dikastereve tjera qeveritare. Për këtë çështje Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë rëndësinë e mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sinkronizimit me partnerët kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë.

Sikurse çdo vit, edhe sivjet vendi u përball me zjarre nëpër male. U pa se kapacitet e vendit nuk ishin të mjaftueshme (rasti i zjarreve në Prevallë). Në këtë aksion ishte e angazhuar edhe FSK-ja. Mirëpo, u pa se pa ndihmën e helikopterëve të KFOR-it, procesi i shuarjes së zjarreve do të merrte shumë më shumë kohë, dhe pasojat sigurisht se do të ishin më të rënda. A ka në plan FSK-ja blerjen e helikopterëve – luftarakë apo jo luftarakë?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Dihet që viteve të fundit jo vetëm në vendin tonë por në gjithë regjionin, zjarret sidomos ato gjatë muajve të verës janë duke paraqitur rrezik jo vetëm për ambientin por dhe për pasurinë, pronat, infrastrukturën dhe jetën e qytetarëve. Edhe pse FSK nuk ka në kuadër të saj kapacitete Te zjarrëfikjes, si reagues i tretë në emergjencat civile ka angazhuar personelin e saj aty ku është kërkuar mbështetja jonë. Mungesa e helikopterëve paraqet kufizim në menaxhimin e situatave me zjarret malore. Mbështetja ajrore nga KFOR ka qenë instrumentale për menaxhimin e situatës me zjarre, në veçanti në pjesën e Prevallës. Plotësisht pajtohem që institucionet tona duhet të zhvillojnë kapacitetet vetanake ajrore me qëllim që té përballen suksesshëm me situata të tilla. Në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është e paraparë edhe flota e helikopterëve që krahas sistemeve ajrore pa pilot Bajraktar TB2 që tashmë i kemi në forcë do të kompletoj kapacitetin e mbështetjes ajrore të planifikuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Helikopterët është e paraparë të blihen gjatë fazës së tretë të tranzicionit (2025-2028). Strukturat në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK kanë bërë analizat e nevojshme dhe po realizojnë diskutime me partnerët tanë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në një periudhë sa më afërt të furnizohemi me helikopterë shumë-funksional.

Vendi në shkurt të vitit të ardhshëm do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme. A mendoni se do t’i arrini deri në fund të mandatit të gjitha synimet dhe qëllimet e juaja për FSK-në?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes dhe arritja e objektivave ushtarake të FSK-së nuk është një proces që fillon dhe mbaron me një mandat qeverisës dhe as me një qeveri. Ndërtimi i një sistemi koherent dhe funksional të mbrojtjes dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake është proces i vazhdueshëm dhe thelbësore është ruajtja e vazhdimësisë. Prioritetet e vendosura e që janë të ndërlidhura me objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes për këtë mandat qeverisës janë duke u realizuar në përputhje me afatet kohore dhe jam i bindur që do të arrihen deri në fund të këtij mandati. Mbështetja e vazhdueshme e qeverisë në shumë dimensione për FSK, po vazhdon te luaj rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në arritjen e objektivave për FSK-në. Në shumë fusha kemi tejkaluar planin. Sipas planit gjithëpërfshirës, FSK ishte e paraparë që në këtë periudhë té kishte 3700 pjesëtar aktiv, sot kemi mbi 4200. Shumë sisteme të armatimit që aktualisht i kemi në inventarin e FSK, kanë qenë të planifikuara të blihen në faza të mëvonshme. FSK-së gjatë këtij mandati i janë dhënë në pronësi dhe shfrytëzim 6 lokacione dhe prona të reja të rëndësisë së veçantë strategjike dhe operacionale. Përgjatë këtyre viteve është shumëfishuar numri i ushtarakëve që janë dërguar për trajnime dhe shkollime jashtë vendit. Pra duke pas parasysh të gjitha këto besoj plotësisht që jo vetëm që do të arrihen objektivat e parapara për FSK por dhe do Te këtë zhvillim të përshpejtuar në shumë fusha.

Të ngjashme