Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka raportuar para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, lidhur me hidrocentralet dhe problemet tjera mjedisore, raporton Ekonomia Online.
Ai mori kritika nga deputetët në lidhje me hidrocentralet të cilat po operojnë pa leje mjedisore e të cilat u tha se po shkaktojnë dëme mjedisore.
Edhe vet ministri Matoshi e pranoi se gjendja në këtë aspekt nuk është e kënaqshme, me ç’rast edhe kërkoi ndihmë nga institucionet përkatëse, duke përfshirë edhe komunat, për të cilat tha se e kanë një pjesë të përgjegjësisë.
“Nuk është e vetmja Ministria e Mjedisit që merret me çështjen e hidrocentraleve, është një radhë e dokumenteve që duhet të ndiqet, asnjë kërkesë nuk është trajtuar apo shqyrtuar pa pëlqimin e komunës ku është bërë investimi. Nga takimet me komuna kam kërkua të jenë të kujdesshme me dhënien e pëlqimit të lejeve, pasi ata i lejojnë ata dhe më vonë kanë probleme me banorë. Pasi ti kryejnë të gjitha këto procedura me pastaj vijnë tek Ministria e Mjedisit. Kur ka kapacitete më të vogla këto leje i lëshon komuna”, tha ai.
Ministri Matoshi madje e pranoi se ka hidrocentrale që operojnë edhe pa leje. E ky fakt e befasoi deputeten e LDK-së, Besa Gaxherrin.
“Mua më befasuat që asnjë hidrocentral nuk ka leje, jam çudit që këto kompani duhet me kalua disa faza…. Për çka nuk e keni ndërmarr asgjë për këto hidrocentrale që nuk kanë leje, ata janë të interesuar me shkatërrua”, tha Gaxherri.
Mbylljen e këtyre hidrocentraleve e kërkoi edhe deputeti Andin Hoti, raporton EO.
“Nëse janë të tilla ilegale si është e mundur që ju nuk keni informata dhe nuk po i mbyllni, nuk po ndërhyni? A keni ndërmarr diçka që procedurat administrative mi lehtësua, për mu pajis me leje? “, tha Hoti.
Ministri Matoshi u mundua të shpjegoi procedurat që operatorët duhet të kaljnë për t’u pajisur me leje mjedisore, por që nuk i bindi deputetët të cilët kërkuan sqarime për hidrocentralet të cilat po operojnë pa leje mjedisore, ndërsa kërkuan edhe një raport përkitazi me këtë çështje.
Matoshi gjithashtu bëri të ditur se për rastin e “Grykës së Deçanit” në korrik të 2018-së është ngritur edhe një padi dhe se tashmë lënda është në Gjykatë.