Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Armend Mehaj vizitoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Në Ambasadën e Kosovës në SHBA ai takoi drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore, Robin S. Brooks.
Ata diskutuan për sigurinë rajonale, ndikimet e huaja si dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë globale dhe Brooks u zotua se do të punojë ngushtë për të realizuar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe qëllimet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes.
Më pas, ministri Mehaj vazhdoi agjendën e tij me vizitën në Këshillin Atlantik, në Washington DC, ku para shumë ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, u adresua duke njoftuar ata me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti.
Ai gjithashtu theksoi se vizioni i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe orientimi euroatlantik.
“Ndër qëllimet tona kryesore strategjike si shtet dhe qeveri, është angazhimi maksimal për anëtarësim në NATO dhe BE. Për këtë, nga fushëveprimi ynë si Ministri e Mbrojtjes, jemi të fokusuar në zhvillimin dhe modernizimin e Forcave Mbrojtëse sipas standardeve më të avancuara të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë efektivisht të ndërvepruese në misione të përbashkëta paqeruajtëse dhe të stabilitetit” tha Mehaj
Mehaj gjithashtu theksoi se partneriteti i Kosovës me SHBA-në është jetik dhe i pazëvendësueshëm dhe se do të angazhohet maksimalisht që ky partneritet të fuqizohet edhe më shumë në të gjitha aspektet.