Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka pritur në takim përfaqësuesit e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, përfshirë Daniel Alker, Shef i Zhvillimit në këtë Ambasadë, si dhe përfaqësuesit e GIZ-it gjerman, të udhëhequr nga Elizabeth Hoebl dhe Edmond Gashi.
Gjatë këtij takimi u diskutuan objektivat strategjike të MBPZhR-së, si dhe politikat zhvillimore në sektorin e bujqësisë, përfshirë iniciativat për modernizimin e këtij sektori dhe përkrahjen e fermerëve. Ministri Muja theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Republikën Federale të Gjermanisë, duke shkëmbyer ide dhe shqyrtuar mundësitë për projekte të reja që synojnë avancimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik të sektorit rural në Kosovë.
Ministri Muja theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Republikën Federale të Gjermanisë do të fokusohet në sektorë të rëndësishëm të prodhimit bujqësor, veçanërisht në prodhimin e frutave, perimeve dhe hortikulturës, fusha të cilat paraqesin potencial të madh për zhvillim dhe rritje të konkurrueshmërisë së bujqësisë në vend.
Ai gjithashtu i njoftoi përfaqësuesit gjermanë me zhvillimet dhe arritjet më të fundit në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, duke përfshirë programet zhvillimore bujqësore, si dhe projektet që synojnë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e teknologjive dhe forcimin e kapaciteteve të sektorit.
Ministri Muja potencoi se një ndër prioritetet kryesore të tij është rritja e nivelit të sigurimit të cilësisë së ushqimit në Kosovë. Në këtë drejtim, ai kërkoi mbështetje dhe ekspertizë nga Republika Federale e Gjermanisë për avancimin e standardeve dhe mekanizmave që garantojnë produkte ushqimore të sigurta dhe cilësore për qytetarët.
Në fund të takimit, Ministri Muja shprehu falënderimet e tij për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës, veçanërisht për kontributin në sektorin e bujqësisë, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin strategjik ndërmjet dy vendeve.