Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa zhvilloi vizitë pune në Komunën e Ferizajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu.
Ministri Mustafa u njoftua nga kryetari Aliu për situatën në komunë, duke venduar theksin në sektorin e bujqësisë. Ministri i MBPZhR-së tha se, përmirësimi i kushteve për fermerët e Ferizajt dhe atyre të tërë Kosovës mbetet fokus i tij si Ministër.
Gjithashtu, gjatë vizitës takoi fermerë të zonës, blegtorë, gjedhtarë, përpunues të qumshtit dhe të frutave të imëta nga të cilët së afërmi u informua mbi situatën e tyre. Ai njoftoi fermerët se, Ministria e Bujqësisë ka vendosur t’i paguajë dy herë subvencionet, që fermerët sa më lehtë ta përballojnë situatën e shkaktuar nga Covid-19.
Pos kësaj, ministri Mustafa tha që, ai dhe ekipi i tij pandërprerë kanë punuar që shpërndarja e subvencioneve të bëhet si duhet. Në këtë aspekt, tha se, sistemi i evaluimit për grante dhe subvencione është përditësuar deri aty sa gjasat për të manipuluar janë të barabarta me zero.
“Kemi punuar ditë e natë që të arrijmë deri në këtë sistem i cili ka krijuar një fushë me kushte të barabarta për secilin fermer”, përfundoi ministri Mustafa.
Fermerët mes tjerash falënderuan ministrin Mustafa për përkrahjen e vazhdueshme, sidomos për pagesën e subvencioneve e cila sivjet po bëhet dy herë.