Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka iniciuar një rast për veprën penale kanosje ndaj ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Rastin për Ekonomia Online e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, i cili njoftoi se incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor, në një kohë kur “Rruga e Re” ishte e bllokuar nga trafiku.
Nikçi tha se ministri dyshohet të ketë dalë nga vetura dhe ka kanosur një person tjetër, ndërsa theksoi se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës. Hetimet për rastin janë në zhvillim.
“Me urdhër të prokurorit është inicuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, ka deklaruar Nikçi