Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka propozuar që Darka e Lamës të jetë edhe kremte kombëtare, raporton Ekonomia Online.
Ai po ashtu ka njoftuar që kjo darkë sivjet do të kremtohet më 2 dhjetor, si dita më e përshtatshme siç e ka quajtur ai për shënimin e kësaj kremte, që të shënohet çdo vit, në ditëlindjen e ish presidentit Ibrahim Rugova, “si shenjë falënderimi për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shtet ndërtim, si dhe për promovimin e kulturës dhe traditës autentike shqiptare”.
“Darka e Lamës më 2 dhjetor – Propozoj të jetë edhe kremte kombëtare. Me datën 2 dhjetor Ministria e Bujqësisë organizon “Darkën e Lamës”. Në vitin kur Zoti i dhuroi Kosovës shumë begati në çdo kulturë bujqësore vlerësoj se ky aktivitet tradicional që organizohet nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ka zanafillën ideore nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duhet të ketë përmasa edhe më të gjëra në organizim në të gjitha nivelet deri në shënim e kremtim kombëtar në çdo familje”, ka thënë ai.
“Darka e Lamës”, ministri Peci tha se është shprehje e falënderimit ndaj Zotit për bereqetet e dhuruara dhe për zakonet e përcjella brez pas brezi.
Këtë vit, ai ka thënë se do të fillohet me këtë traditë edhe nga Ministria e Bujqësisë, me bindjen sipas tij që ky aktivitet do të organizohet nga të gjitha nivelet institucionale e deri te çdo familje e çdo shtëpi, “ku do të shtrohet Darka e Lamës me produkte bujqësore vendore, duke e kthyer këtë ngjarje në një mundësi ideale për promovimin e prodhimeve vendore”.
“Dita më e përshtatshme për shënimin e kësaj kremte le të jetë 2 dhjetori, që të shënohet çdo vit, në ditëlindjen e Dr. Ibrahim Rugovës, si shenjë falënderimi për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shtetndërtim, si dhe për promovimin e kulturës dhe traditës autentike shqiptare. Në këtë kremte do të falënderojmë prodhuesit vendor për mundin dhe angazhimin e tyre në sektorin e bujqësisë. Në të ardhmen, do t’u propozoj institucioneve të Republikës së Kosovës që data 2 dhjetor të kremtohet si një datë e veçantë anembanë Kosovës”, ka shkruar ministri Peci në një postim në Facebook.