Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në vizitë delegacionin e Kryerabinatit të Shqipërisë dhe Kosovës, kryesuar nga kryerabini Yoel Kaplan.
Me këtë rast, ministri Quni shprehu falënderimin dhe vlerësimin e lart për vizitën e parë të kryerabinatit në ministrin e mbrojtjes, pas deklarimit zyrtar të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit. Ministri Quni, theksoi se populli i Kosovës, ndër vlerat më unike të saj ka respektin tradicional ndaj të gjitha besimeve dhe se diversitetin fetar e kultivon ndër breza si pasuri të saj të paprekshme. Ky realitet është dëshmuar gjatë gjithë historisë, e konkretisht edhe gjatë luftës së dytë botërore kur paraardhësit tanë strehuan dhe vunë nën mbrojtje me “besën shqiptare” hebrenjtë nga fushata shfarosëse naziste. “Historia e popullit hebre për ne është e njohur sepse ka shumë të përbashkëta me të kaluarën e dhimbshme, por të lavdishme të popullit tonë” tha ministri Quni.
Nga ana e tij, kryerabini Kaplan, shprehu falënderimin për pritjen miqësore dhe vlerësoi lart vendimin e kryeministrit izraelit për njohjen e shtetit të Kosovës, duke besuar se vonesën e deritashme ta kompensojmë me zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunim të thellë në të gjitha fushat. “Gjithmonë kam pasur besim në të ardhmen tuaj të ndritur duke pasur parasysh rininë tuaj inteligjente. Do të jemi me ju në rrugëtimin tuaj për të ardhmen” theksoi z. Kaplan.
Duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e deritashëm të shtetit të Izraelit dhe popullit të tij për mbështetjen e deritashme për Kosovën të kurorëzuar edhe me njohjen zyrtare, ministri Quni dhe gjeneral Rama, shprehën interesimin për zhvillimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes në nivel të ministrive dhe forcave respektive. Ata vlerësuan lart aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të Izraelit si dhe eksperiencën e tyre në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të nevojshme në stadin aktual të zhvillimit të FSK-së. Me këtë u pajtuan plotësisht të dy palët, duke besuar se kjo do të ndodh së shpejti me zyrtarizmin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy shteteve. Kryerabini Kaplan, gjatë vizitës shoqërohej edhe nga rabini i Tiranës, Yisroel Ivan Finman, sekretari i Kryerabinatit të Shqipërisë Geront Selenica dhe kryetari i Bashkësisë Hebreje “Bet Israel Kosova”, Ruzhdi Shkodra.