Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo prej vitit 2005 e ka të regjistruar një biznes në fushën e bujqësisë, nga i cili ende nuk ka hequr dorë zyrtarisht, ndonëse qe nëntë muaj është emëruar në krye të këtij dikasteri qeveritar. Ai ka qenë bashkëpronar edhe në një biznes tjetër të ngjashëm, por ka hequr dorë nga i njëjti. Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se Rikalo është në proces të dorëheqjes nga biznesi “Future System”.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo , ka një vit që e ka deklaruar zyrtarisht biznesin e tij privat “Future System” në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK).
Ndonëse në kundërshtim me ligjin Rikalo vazhdon të jetë person i autorizuar në këtë biznes, i cili të gjitha aktivitetet i ka në sektorin e bujqësisë dhe që bie nën domenin e Ministrisë që e udhëheq ai.
Sipas një hulumtimi disajavor të gazetës “Zëri”, Rikalo ka qenë bashkëpronar edhe në një biznes tjetër, “FruitLand”, po ashtu në fushën e bujqësisë e ku aktivitet kryesor i këtij biznesi është kultivimi i drithërave.
Megjithatë, nga ky biznes Rikalo së paku zyrtarisht ka hequr dorë.