Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo bashkë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Greg Delawie dhe Ambasadorin e Hungarisë, László Markusz kanë vizituar fermerët e Komunës së Junikut, me ç` rast kanë parë për së afërmi investimet e bëra në këtë komunë nga MBPZHR-ja dhe USAID-i.
Me këtë rast, ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, vlerësoi se projektet e përbashkëta të ministrisë me USAID-in kanë dhënë rezultate të mira dhe shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në veçanti në investimet për zgjerimin e veprimtarive bujqësore në vend.
Ministri Rikalo falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen që Qeveria e SHBA-ve i ka dhëne Kosovës në të gjitha fushat, e me fokus të veçantë në bujqësi dhe zhvillim rural. Po ashtu, ai shprehu falënderim edhe për mbështetjen e shtetit hungarez për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Ndryshe, me investimet e bëra në komunën e Junikut, MBPZHR- ja dhe USAID-i përmes granteve investive kanë arritur që të ngrisin sisteme intensive të kultivimit të kulturës së qershisë.