Ministria e Bujqësisë përmes programeve të saj mbështetëse, do të vazhdojë përkrahjen e agrobizneseve vendore që merren me prodhimin dhe përpunimin e prodhimeve bujqësore.
Kështu është shprehur ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, gjatë vizitës së bërë në kompaninë “M&Sillosi”, ku ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi.
Gjatë kësaj vizite, ministri Rikalo dhe sekretari Halimi janë njoftuar me punën e kësaj fabrike të miellit dhe me sfidat që përballen prodhuesit e këtij sektori.
Me këtë rast, ministri Rikalo i ka njoftuar ata se në Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programin e Pagesave Direkte të vitit të ardhshëm, do të zgjerohet përkrahja për agrobizneset vendore, si dhe për shumë sektor të bujqësisë, përmes së cilës përkrahje ai tha se synojnë rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore dhe zgjerimin e modernizimin e agrobizneseve.
Nga ana tjetër, udhëheqësit e kësaj fabrike theksuan se mbështetja e ministrisë për agrobizneset vendore po ndikon që prodhimet e tyre të jenë edhe konkurrente me shumë prodhime të huaja.