Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reflektuar si pasojë e reagimit të amerikanëve rreth procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit dhe kryeprokurorëve, shkruan Gazeta Express.
Selimi e ka quajtur si lajm të mirë reagimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe thotë se vetëm të bashkuar mund të bëhen ndryshime në ligjin i cili e rregullon procesin e përzgjedhjes së prokurorëve.
“Lajm i mirë reflektimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilët synojmë që së bashku ta përmbyllim procesin e Rishikimit Funksional.
Vetëm duke bashkuar fuqitë mund të ndryshojmë ligjin, i cili do të rregullojë përzgjedhjen e prokurorëve në mënyrë transparente, objektive dhe me meritokraci. Vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohemi dhe nuk duhet që të humbim besimin në sistetmin tonë prokurorial”, ka thënë Selimi.
“Organi i akuzës mbetet gardian i shtetit të së drejtës. Bashkë do të forcohemi për prokurorë të pavarur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka përfunduar ai.