Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, thotë se deklarata e sotme e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se porti i Durrësit do të jetë në shërbim të Kosovës në të ardhmen, është dëshmi se po punohet për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Ai ka ftuar që sa më shpejt të institucionalizohet çështja e bashkimit të serbëve në një shtet, si kundërpërgjigje, sipas tij, për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Vetëm bashkimi i serbëve mund të ndalë Shqipërinë e Madhe dhe sa më parë që institucionalizohet kjo, do të vijë paqja në Ballkan. Atë që ua jepni shqiptarëve, nuk mund t’ua ndaloni serbëve”, ka thënë Vulin, përcjellin portalet serbe të premten.
Vulin ka komentuar takimin e sotëm të dy qeverive, Kosovës e Shqipërisë, i mbajtur në Tiranë me tone fyese e nacionaliste, duke iu referuar shqiptarëve si “shqiptari”.
“Me deklaratën se porti i Durrësit do të bëhet i Kosovës, Edi Rama ka vazhduar punën për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Si çdo herë deri më tash, Bashkim Evropian po hesht dhe nuk do të ndërmarrë asgjë. Shqiptarët mund të bashkohen dhe të rrëmbejnë toka të huaja, kurse serbët nuk mund të bashkohen as në tokat e tyre. Kështu po vazhdohet gënjeshtra se ‘Shqipëria e Madhe’ është gjë natyrale, kurse bashkimi i serbëve në një shtet shihet si rrezik për paqen”, ka deklaruar ministri serb.
Ai ka thënë se Shqipëria e Madhe është një paralajmërim fatkeq për shkatërrimin e shteteve dhe kombeve në Ballkan.
Sot në Tiranë u nënshkruan 13 marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë. Më herët janë nënshkruar edhe dhjetëra të tjera.