Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, në një konferencë për media ka prezantuar Strategjinë e Energjisë 2016-2025, sipas të cilit përmes saj do ta ndryshojnë gjendjen në sektorin e energjisë.
Stavileci theksoi se Strategjia e Energjisë 2016-2025 bazuar në analizën dhe problematikat që i ka sektori i energjisë, nevojave të energjisë dhe potencialit të saj për të arritur qëllimin e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm në energji për periudhën 10 vjeçare ka përcaktuar pesë objektiva strategjike.
Për realizimin e këtyre pesë pikave strategjike janë bërë analiza të bazuara nga një sërë faktorësh që ndikojnë në sektorin e energjisë, e ato sipas Stavilecit janë, “parashikimi i kërkesës bazuar në rritjen ekonomike, sipas strategjisë kombëtare për zhvillim 2016-2021 dhe programit të reformave ekonomike. Masat për reduktimin e humbjeve komerciale në sistemin e shpërndarjeve të energjisë elektrike. Ndikimin e zgjerimit të rrjetit të sistemit të energjisë teknike në kërkesa për energji elektrike. Përdorimin e burimeve të ripërtërishme, masat e efiçiencës së energjisë, integrimin e tregut si dhe ruajtja e mjedisit e cila është komponente shoqëruese e të gjitha masave për arritjen e objektivave strategjike”.
Ministri Stavlieci ka thënë se kanë punuar në vazhdimësi në arritjen e objektivave që janë pjesë e programit qeveritar.
“Natyrisht që në kuadër të fushës së energjisë kemi pasur një varg aktivitetesh që janë duke u zhvilluar nga njëri projekt në tjetrin… Të gjitha përpjekjet dhe aktivitetet që ne kemi ndërmarr për ta ndryshuar gjendjen në sektorin e energjisë, për ta transformuar dhe modernizuar atë ne kemi përgatitur Strategjinë e Energjisë 2016-2025”, ka thënë Stavileci.
“Për arritjen e secilit objektiv veç e veç kemi rekomanduar edhe politikat dhe masat që janë vlerësuar si më të përshtatshme për arritjen e qëllimit…. Krijimi i kushteve për sigurimin e furnizimit të besueshëm cilësor dhe të sigurt me energji nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve prodhuese transmetuese dhe shpërndarëse”.