Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka arritur në pikën kufitare në Jarinjë. Ai u nis me urgjencë për atje, pas kidnapimit të tre policëve kufitar të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë, shkruan RTK.
Pas ndalimit në Jarinje, ministri Sveçla menjëherë e ka vazhduar rrugën për në Bare, në vendin ku janë kidnapuar tre policët kufitar të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar më herët se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kufitare të Kosovës, nga ana e Njësisë Speciale të Policisë së Serbisë. Ai tha se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.