Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mori pjesë sot në Konferencën Ndërministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, që është duke u mbajtur në Tiranë, në prag të Samitit të Berlinit.
Me këtë rast, ministri Sveçla theksoi se është i rëndësishëm fakti që ky takim po zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, pak para Samitit të Berlinit, si një nismë e krijuar bazuar në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, atë të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit. Ai theksoi se pikërisht mbi këtë bazë, duhet të forcohet më tutje bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja nga shtetet e tjera partnere dhe strategjike. “Dëshiroj që ky takim sot të na shërbejë si platformë reflektimi dhe zotimi mes nesh për të mbrojtur vlerat demokratike dhe evropiane, për të ndërtuar veprime dhe mekanizma konkret në luftën kundër krimeve ndërkufitare dhe lëvizjeve migratore si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë në përgjithësi me shtetet e rajonit dhe më gjerë”, tha ministri në fjalën hyrëse në këtë Ministerial.
Ministri Sveçla vuri në dukje se Ministeriali, si dhe temat që do të diskutohen në sesione, janë të një rëndësie të veçantë në arritjen e objektivave për përmirësimin e menxhimit të integruar të kufirit, vlerësimit të kërcënimeve ndërkufitare dhe efektivitetit të arritur deri më tani në këto fusha si dhe nevojat e bashkëpunimit rajonal.
“Përpjekjet e vazhdueshme të vendeve tona për të ngritur sigurinë me fokus në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të armëve dhe drogës, migrimit të parregullt dhe trafikimit me qenie njerëzore e kontrabandës, si dhe ngritjen e sigurisë së kufijve, gjithmonë duke u siguruar se respektohen të drejtat e migrantëve, paraqesin rëndësi jo vetëm për shtetet tona dhe rajonin, por edhe për sigurinë e Evropës dhe më gjerë”, theksoi ministri Sveçla.
Duke folur për veprimet konkrete, ministri Sveçla vuri në pah se Qeveria e Kosovës në tri vite të mandatit përballë sfidave ka shënuar rezultatete të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, migrimit të paligjshëm e trafiqeve të ndryshme.
Theks të rëndësishëm në këtë ministerial, ministri Sveçla i vuri edhe bashkëpunimit rajonal, në kuadër të angazhimit për parandalimin e kontrabandës dhe trafiqeve të ndryshme, angazhime të cilat kanë rezultuar me mbylljen e 35 rrugëve ilegale prej të cilave 27 njëanshëm me Serbinë, 6 në koordinim me Malin e Zi dhe 2 me Maqedoninë e Veriut. Ai tha se nisur nga kjo, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, kanë dëshmuar se janë partnerë seriozë në nismat rajonale, shpeshherë duke u marrë edhe si shembull për rajonin, jo vetëm në nivel organizativ, por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve, por edhe formave të tjera të trafikimit, zbatimin e Udhërrëfyesit për AVL-të etj.
Sot edhe formalisht u zgjerua bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, si dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, përmes nënshkrimit të deklaratës për angazhime të përbashkëta në luftimin e krimit dhe migracionit të paligjshëm.
“Ky bashkëpunim ndihmon edhe më shumë në zgjerimin e bashkëpunimit në nivel operacional midis agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta do të ndihmojnë në shkatërrimin e grupeve kriminale që veprojnë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë”, përmbylli rezymenë e tij në Ministerialin e Tiranës, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla.