Ministri Sveçla priti në takim homologun e tij të Shqipërisë, flasin për pikat kufitare

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi.

Në këtë takim ministri Sveçla së pari e uroi ministrin Çuçi për detyrën si dhe për Mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pas konstituimit të institucioneve duke e falënderuar atë për nënshkrimin e dy marrëveshjeve: Marrëveshjen e trafikut lokal të kufirit si dhe për Marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës).

Ministri Sveçla theksoi se bashkëpunimi i dy vendeve tona po thellohet nnë shumë dimensione dhe në dobi të qytetarëve nga të dy anët e kufijve. Ministri theksoi se qëndrojnë të bashkuar si gjithmonë, si në paqe ashtu edhe në sfida të përbashkëta.

Gjithashtu ministri Sveçla theksoi se Ministritë e Brendshme të të dy shteteve tona kanë më shumë se 20 marrëveshje të cilat padyshim kanë qëllim lehtësimin e jetesës dhe zhvillimin e veprimtarisë së shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Në fund të takimit dy ministrat u zotuan se ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen ndërmjet dy Policive të shteteve tona në fushën e sigurisë publike, luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Të ngjashme